
Sekretari i shoqatës së para dhe tetraplegjikëve në Elbasan ka hyrë në grevë urie për vendimet më të fundit të komisionit epror të kempit në Tiranë, i cili një pjese të anëtarëve të kësaj shoqate u ka hequr paketën financiare higjienosanitare.
Bëhet fjalë për një kompensim prej 16 mijë lekësh që shteti u jep grupit të parë të invaliditetit, përveç pensionit dhe pagesës për kujdestarin. Të prekurit nga këto vendime, shprehen se heqja është e padrejtë dhe abuzive, pasi nuk u kanë ndryshuar as grupin dheas kujdestarinë por u kanë hequr vetëm paketën higjienosanitare, që për to është mjaft e rëndësishme për jetesën e vështirë që bëjnë.
Ndërkohë, sekretari i shoqatës së para dhe tetraplegjikëve shprehet se dëmtimet e tyre janë të përhershme dhe ridalja në komisionin epror ishte në kundërshtim me ligjin.
Ndërsa kryetari i kësaj shoqate shprehet së të gjithë të drejtat e deritanishme kjo shtresë vulnerabël e shoqërisë i ka fituar vetëm me greva. Në pamundësi shëndetësore që grevës t’i bashkëngjiten edhe invalidët, është vendosur që grevën e urisë ta nisë i vetëm sekretari, me shpresë që të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për padrejtësinë që pretendojnë se u është bërë. (A2 Televizion)