
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Devoll, ku një 53-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij, i asfiksuar nga gazi i gjeneratorit.
Viktima është shtetasi Andrea Grazhdani. Mësohet se ai kishte 3 ditë që ishte kthyer nga Greqia dhe po bënte punime në shtëpi për vendosjen e kaldajave, pasi do të festonte me familjen festat e fundvitit.
Dje, për shkak të mungesës së energjisë ai ka ndezur gjeneratorin dhe është asfiksuar.
Ka qenë fqinji i tij ai që e ka lajmëruar policinë, pasi ka gjetur në mëngjes derën e garazhit të mbyllur.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.12.2021, rreth orës 11:00, në fshatin Progër, në garazhin e banesës së tij, është gjetur i pa jetë, pa shenja dhune, shtetasi A. G., rreth 53 vjeç, i cili jetonte i vetëm.
Nga të dhënat e para, dyshohet se ky shtetas ka ndërruar jetë nga asfiksia e gazit të gjeneratorit që përdorte.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)