
Një banor i paidentifikuar në Florida të SHBA-së ka ndërruar jetë, pasi u infektua me një amebë të rrallë që ha trurin. Sipas zyrtarëve të Shëndetësisë, viktima u infektua pasi kishte larë sinuset e hundës me ujë rubineti. Ameba Naegleria fowleri infekton trurin përmes hundës dhe sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, infeksionet janë thuajse gjithmonë fatale.
Ameba zakonisht jeton në ujë të ngrohtë si pishina, liqene dhe pellgje. Ajo mund të çojë në një infeksion të rëndë nëse hyn përmes hundës, por është e sigurt përmes gojës, sepse acidi i stomakut vret mikroorganizmin njëqelizor.
Njerëzit që janë të infektuar preken nga një sëmundje e quajtur meningoencefaliti primar amebik. Simptomat përfshijnë dhimbje koke, ethe, të vjella, çorientim, qafë të ngurtë, humbje të ekuilibrit, kriza dhe halucinacione.
Sipas CDC, rreth tre amerikanë infektohen çdo vit, shpesh me pasoja vdekjeprurëse. Midis viteve 1962 dhe 2021, vetëm katër nga 154 personat e infektuar në SHBA mbijetuan.
Të dhënat e CDC sugjerojnë se infeksioni në muajt e dimrit është tepër i rrallë. Zyrtarët paralajmërojnë se për të shmangur infeksionet, njerëzit nuk duhet të shpëlajnë hundën me ujë rubineti të patrajtuar.
Njerëzit gjithashtu këshillohen që të shmangin marrjen e ujit në hundë, ndërsa janë në pishina ose duke bërë dush. (A2 Televizion)