
Ministri Bledi Çuçi ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë për rikonfirmimin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme dhe drejtues i qarkut të Tiranës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri Çuçi u shpreh se është i gatshëm të përballet me sfidat për të çuar Policinë e Shtetit në një tjetër nivel.
“Rikonfirmimi në postin e Ministrit të Brendshëm dhe drejtimi politik i qarkut Berat janë një tjetër vlerësim nga Kryeministri dhe Partia Socialiste, po aq sa edhe një përgjegjësi e lartë në të njëjtën kohë. Në krye të këtij institucioni kaq shumë të rëndësishëm do të vazhdoj të punoj për të çuar përpara sfidat që lidhen me garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe me përballjen me paligjshmërinë.
Kontrolli i territorit, lufta ndaj kriminalitetit dhe ngritja e punës së Policisë së Shtetit në një tjetër nivel, mbeten prioriteti ynë i përbashkët përgjatë mandatit të tretë. Mandat që është një kontratë e re besimi për të vijuar me punët e nisura, për të bërë shkëputjen e madhe të vendit dhe për ta ndërtuar këtu të ardhmen tone”, shkruan mes të tjerash Çuçi. (A2 Televizion)