Një vajzë 15-vjeçare, e cila u rrëmbye në vitin 2017 kur ishte vetëm 9 vjeç, është gjetur shëndoshë e mirë në Karolinën e Veriut. Kayla Unbehaun u pa për herë të fundit më 4 korrik 2017, kur ishte nëntë vjeç.
Kur babai i saj Ryan shkoi ta merrte nga shtëpia e nënës së saj më 5 korrik, ajo nuk ishte atje. Në atë kohë, babai kishte kujdestarinë e plotë të Kayla-s, ndërsa nëna e saj Heather Unbehaun kishte vetëm të drejtën e vizitës.
Rasti u përmend dhe u trajtua gjerësisht në serinë e Netflix-it "Misteret e pazgjidhura" për rrëmbimet e fëmijëve nga prindërit e tyre.
Por, ishte një pronar dyqani, i cili thuhet se e kishte ndjekur serinë përkatëse, e njohu Kayla në një qendër tregtare në Asheville dhe informoi menjëherë policinë.
Pas zbulimit të rastit, rrëmbyesja Heather Unbehaun po mbahet me garanci prej 250.000 dollarësh dhe është në pritje të ekstradimit.
"Jam shumë i lumtur që Kayla është e sigurt në shtëpi. Dua të falënderoj @ElginPDFD, Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar dhe të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit që ndihmuan me rastin e saj. Ne kërkojmë privatësi teksa po njohim përsëri njëri-tjetrin dhe jemi nisur në këtë fillim të ri për ne", u shpreh i ati i Kaylas. (A2 Televizion)

