
“Nuk kemi rrugëdalje, jemi mbështetur pas murit”... Me këto fjalë iu drejtua popullit serb Presidenti Aleksander Vuçiç, i cili theu të dielën heshtjen lidhur me bisedimet maratonë të zhvilluara të enjten në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian.
Ai tha se popullsia serbe në veri të Kosovës po I nënshtrohet një fushate intimidimi dhe torture, që ka si qëllim të vetëm dëbimin e tyre. Siç tha, në takimin e 21 gushtit me perfaqesuesit serbë të Kosovës, ai ishte zotuar se do të mbronte qytetarët e vet nga përndjekja.
“Pa marrë parasysh se cila është situata, nuk do të ekzistojnë kolonat e refugjatëve sepse ne do të shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi. Një dëbim Iri I popullit tonë nuk do të ndodhë. Ky është mesazh për serbët por edhe për të gjithë botën”.
Megjithatë, Vuçiç tha se në takimin e së dielës kishte marrë mbështetjen e serbëve të Kosovës për të punuar mbi një zgjidhje kompromisi. Ai pohoi se gjatë 10 ditëve në vazhdim, para hyrjes në fuqi të vendimeve për reciprocitetin, do të përpiqen dëshpërimisht për një kompromis. I pyetur se cili do të ishte kompromisi ai tha: “Sa ta marr vesh do t'iu njoftoj. Ne do të përpiqemi, do të bëjmë më të mirën. Nëse mundemi, mundemi. Nëse nuk mundemi, nuk mundemi”.
Presidenti serb tha se në bisedimet e Brukselit, Prishtina kishte refuzuar çdo propozim. Ai sqaroi se kishte kërkuar qe targat KS, të cilat kanë status neutral për shtetësinë e Kosovës të zëvendësonin ato që lëshohen nga Serbia për Kosovën, por kjo gjë është refuzuar kategorikisht nga Kurti, I cili këmbëngul për targat RKS, Republika e Kosovës. “Ata refuzuan gjithçka. Dhe targat KS, dhe gjithçka. Sepse i vetmi qëllim i torturimit të popullit tonë në Kosovë është dëbimi përfundimtar i tyre”.
Presidenti i Serbisë tha se Kosova në rundin e fundit të dialogut në Bruksel kishte shkuar për të diskutuar një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e raporteve me gjashtë pika; ndër të cilat njohja reciproke, zgjidhja e problemit të të pagjeturve; dëmshpërblimet e luftës nga Serbia, respektim të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, dhe rishqyrtim i marrëveshjeve të dakordësuara më parë. (A2 Televizion)