Forcat e presidentit rus, Vladimir Putin, planifikuan të sulmonin shpejt qytetet kryesore të Ukrainës, por vendi deri tani i ka rezistuar pushtimit të Rusisë. Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 50-të një betejë të përgjakshme po zhvillohet në qytetin-port të Mariupolit. Pas javësh bombardimesh dhe rrethimi që kanë lodhur popullsinë, qindra mijëra njerëz të dëshpëruar presin për evakuim, ndërsa Rusia njofton se ka marrë kontrollin e portit.
Forcat ukrainase goditën kryqëzuesin "Moska" me raketa Neptun, i njëjti kryqëzor që më 24 shkurt nisi ultimatumin për dorëzimin e 13 marinarëve ukrainas në ishullin e gjarpërinjve.
Ndërsa forcat ruse tërhiqen nga zonat afër Kievit për t'u ripërqendruar në lindje, tmerret e pushtimit të tyre janë bërë të qarta me raportet e viktimave dhe vrasjeve të shumta civile, torturave, zhdukjeve dhe mizorive të tjera.










Qytetet në të gjithë vendin vazhdojnë të bombardohen pamëshirshëm, ndërsa Rusia vendos një grup shkatërrues sulmesh ajrore, duke krijuar një katastrofë humanitare.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, njofton dërgimin e armëve të reja në Ukrainë me vlerë 800 milionë dollarë, përfshirë mjetet e mbrojtjes nga armët kimike.
Edhe Bashkimi Evropian miratoi të mërkurën një shtesë prej 500 milionë eurosh për pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Miliona refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt. Forcat ruse mohojnë kryerjen e mizorive të raportuara, por disa hetime për krime lufte kanë nisur dhe presidenti Biden ka akuzuar Putinin për kryerjen e "gjenocidit" në Ukrainë. (A2 Televizion)