Udhëtarët që do të hyjnë në Shqipëri me anë të transportit ajror do të paguajnë më pak prej muajit maj. Një vendim i Ministrisë së Financave në bashkërendim me atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, botuar tashmë në Fletoren Zyrtare e ul në 1 euro, nga 10 euro që ishte tarifën e kalimin me avion të kufirit të vendit, njohur gjerësisht si taksa e fluturimeve.

Për operatorët turistikë, ky është i vetmi lajm i mirë në kushtet e shtrenjtimit të gjithçkaje tjetër. “Qeveria mund të marrë më pak taksë në momentin fillestar, por me rritjen e trafikut dhe numrit të turistëve, kuptohet që rriten më shumë të ardhurat, ulen më shumë çmimet e fluturimeve dhe besoj që do të sjellë impakt shumë pozitiv”, thotë Besnik Vathi, përfaqësues i operatorëve turistikë.
Ndërkohë, përfaqësues të sektorit të turizmit kërkojnë heqjen me urgjencë të masave për të hyrë në territorin e vendit. “Në kulmin e pandemisë Shqipëria ishte një ndër katër vendet në botë që nuk kishte asnjë kërkesë në kufi. Dhe tani që të gjitha vendet po i heqin këto kërkesa, ne i vazhdojmë t’i mbajmë në mënyrë të çuditshme”, thotë Vathi.

Aktualisht, çdo qytetar , për të hyrë në vend duhet të ketë një pasaportë vaksinimi ose test që vërteton që nuk është infektuar të kryer brenda 72 orëve nëse ai është i llojit PCR dhe 48 orë nëse është i shpejt antigjen. Gjithashtu, kalimi mund të lejohet me pasjen e të ashtuquajturës, “certifikatë e shërimit”. (A2 Televizion)