Flakët kanë bllokuar fshatrat e Gramshit, Ministria thirrje urgjente banorëve: Largohuni menjëherë nga banesa

Nga A2 CNN
12 Gusht 2025, 13:33 | Aktualitet

Flakët kanë bllokuar fshatrat e Gramshit, Ministria thirrje urgjente

Ministria e Mbrojtjes ju bën thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të Gramshit që të evakuohen menjëherë nga banesat e tyre për shkak të flakëve të zjarreve të cilat kanë rrethuar zonën.

“THIRRJE URGJENTE! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”.

Ndërkohë katër helikopterë janë nisur drejt Gramshit për shuarjen e dy vatrave masive të zjarrit, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë dhe kanë detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

A2 CNN mëson se aktualisht fshati Kullollas dhe Bletëz mbeten të bllokuar nga flakët. Deri më tani askush nuk mund të konfirmojë nëse ka të lënduar apo viktima nga zjarri pasi fshati është rrethuar nga flakët.

Deri në qetësimin e situatës që t’i hapë rrugë hyrjes së zjarrfikëses dhe ambulancës askush nuk konfirmon fatin e banorëve të këtyre fshatrave.

Aktualisht ekipet që kanë shkuar nga toka për të evakuuar banorët e kësaj zone janë të bllokuara dhe e kanë të pamundur avancimin më tej.

Sakaq, drejt Gramshit është nisur me urgjencë edhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, për të monitoruar nga afër operacionin për shuarjen e flakëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos