Ushtarët amerikanë pushtojnë gabimisht fabrikën gjatë stërvitjes, gjithçka kapet nga kamerat e sigurisë

Nga A2 CNN
2 Qershor 2021, 10:38 | Bota

Ushtarët amerikanë pushtuan gabimisht një fabrikë që bën pajisje për të prodhuar vaj ulliri në Bullgari gjatë stërvitjes “Swift Response 21”.

Ushtarët e Brigadës 173 Ajrore, po kryenin trajnime në bazën ajrore të Cheshnegirovo më 11 maj kur gabimisht u futën në fabrikë dhe gjithçka u filmua edhe nga kamerat e sigurisë.

Gazetarja bullgare, Dilyana Gaytandzhieva, raportoi se pronari i kompanisë e ka dërguar çështjen në gjykatë. Ndërkohë, më 28 maj, ambasada amerikane në Bullgari, më anë të një njoftimi për shtyp, i kërkoi falje drejtuesve të kompanisë dhe punëtorëve të saj.

Trajnimi nisi nga baza ajrore Papa në Hungari, ku ushtarët fluturuan me një avion C-17 Globemaster III drejt Bullgarisë. Më pas, ata kontrolluan disa ndërtesa para se të mbërrinin edhe në fabrikë, ku menduan se ishte pjesë e bazës ajrore, sipas ambasadës amerikane, e cila theksoi se ushtarët nuk qëlluan asnjëherë gjatë këtij trajnimi.

Ky trajnim ngre pikëpyetje se pse ndërtesa u pushtua gabimisht nga ushtarët amerikane. Presidenti Bullgar Rumen Radev pati kritika të ashpra për këtë stërvitje. “Është e papranueshme që jeta e shtetasve bullgarë të vihet në rrezik nga ushtria bullgare apo të vendeve të tjera. Këto stërvitje duhet të kontribuojnë në ndërtimin e sigurisë dhe besimin në mbrojtjen kolektive, jo të krijojnë tensione”, tha Radev. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos