
135 fëmijë janë vrarë në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt. Më shumë se 184 fëmijë të tjerë mbetën të plagosur, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Autoritetet e Kievit akuzojnë forcat ruse se po përdorin përdhunimin si armë lufte.
Kombet e Bashkuara njoftuan se civilët e vrarë në Ukrainë janë më shumë se 1 mijë. Nga bombardimet dhe luftimet janë goditur 566 institucione arsimore, 73 prej të cilave rrënuar plotësisht, si dhe dhjetëra spitale dhe komplekse banimi.
Situata më e rëndë paraqitet në rajonet Donjeck, Kharkiv, Nikolaev, Kherson, Chernihiv dhe Kiev. Inteligjenca britanike bën me dije se ushtria ukrainase ka rimarrë kontrollin dhe pozicionet mbrojtëse në disa zona përreth kryeqytetit, përfshirë disa qyteza. Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi shkatërrimin e një depozite karburanti të përdorur nga ushtria ukrainase në afërsi të Kievit.
Në Kharkiv janë vrarë 4 civilë dhe disa të tjerë u plagosën nga sulmet ruse që goditën një poliklinikë mjekësore. Rezistenca ukrainase ka bërë që ushtria e Moskës të mos avancojë drejt qytetit port të Odesës në Detin e Zi. Një situatë tepër e rëndë raportohet në Mariupol. Rreth 300 persona besohet të jenë vrarë në teatrin e këtij qyteti, të bombarduar nga Rusia 9 ditë më parë, ndërsa ka raportime se ushtria pushtuese po bllokon shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Lideri çeçen, Ramazan Kadyrov, tha se ushtria e tij ka marrë kontrollin e bashkisë së Mariupolit. Sakaq, Ukraina ka bërë një bilanc të 30 ditëve luftime duke pretenduar se ka vrarë mbi 16 mijë ushtarë rusë, shkatërruar 561 tanke, mbi 1600 autoblinda, 49 sisteme antiajrore, 115 avionë luftarakë dhe 125 helikopterë. Ndërsa Reuters raporton se ushtria ruse ka lëshuar mbi 1100 raketa në territorin e Ukrainës, 60 për qind e të cilave janë eliminuar nga mbrojtja ajrore. (A2 Televizion)