
Projekt-marrëveshja mes Shqipërisë dhe grupit COVAX për të siguruar vaksinën antikoronavirus u dorëzua në Parlament. Ajo pritet të diskutohet dhe miratohet në formën e një projektligji.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi se duke qenë një çështje urgjente, ajo do të shqyrtohet nga Parlamenti në seancën plenare të javës së ardhshme, më 29 tetor. Sipas kësaj marrëveshjeje, 4 milionë dollarë është parapagimi që duhet të kryejë Shqipëria me qëllim sigurimin e mbi 1 milion dozave.
Në relacionin shoqërues theksohet se kjo sasi do të mjaftojë për vaksinimin e 20% të popullsisë në kushtet kur ende nuk ka një vaksinë të kualifikuar, ende nuk dihet çmimi i saj dhe për rrjedhojë as shuma e plotë që do të duhet të paguajë vendi ynë për ta siguruar atë.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka programuar 12 milionë dollarë për vaksinën antikoronavirus. (A2 Televizion)