
Vaksinën që parandalon kancerin e qafës së mitrës do të kenë mundësi ta kryejnë edhe vajzat mbi 14 vjeç.
Instituti i Shëndetit Publik ka planifikuar një fushatë vaksinimi tek të rejat e moshave 14 deri 20 vjeç. Fushata do të nisë në janar të 2024 dhe do të zgjasë disa muaj. Rovena Daja, përgjegjësja e programit kombëtar të vaksinimit, tregon se për vaksinën e HPV interesi i prindërve ka qenë mjaft i lartë. Që prej nëntorit të vitit të kaluar vaksina me një dozë është pjesë e kalendarit të detyrueshëm për vajzat 13-vjecare. Deri tani ajo është aplikuar tek afro 10 mijë vajza të kësaj moshe.
Referuar vendeve të tjera të cilat prej vitesh aplikojnë vaksinën kundër Human Papilloma Virusit, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se ajo ka dhënë rezultate në reduktimin e sëmundjes së kancerit të qafës së mitrës. Ndërsa në Shqipëri efektet priten pas 10 vitesh.
Vaksina që aplikohet në vendin tonë është katër valente dhe përmban shtamet kryesore të viruseve që qarkullojnë në Shqipëri dhe në Europë. Në disa shtete europiane kjo vaksine aplikohet edhe tek djemtë e moshës 13-14 vjeç. (A2 Televizion)