
“Nëse vaksinimi rezulton me ritme të rregullta, do të kemi mundësi të marrim frymë lirisht pas 6 muajve të parë të vitit 2021”. Është ky optimizmi që na jep mjekja nga Komiteti i Vaksinimit Gjeorgjina Kuli.
E ftuar në studion e A2 CNN, në ditën e parë të vaksinimit në vendin tonë, Kuli tha se vaksina të mbron nga format e rënda të sëmundjes, por nuk e dimë sa pengon përhapjen.
“Virusi është i paparashikueshëm. Ne patëm hipoteza që duke qenë virus respirator që në verë do binte kontaminimi apo do të zhdukej, nuk ndodhi . Për vaksinën ka diçka që nuk është e sqaruar mirë. Ne dimë që të mbron nga format e rënda të sëmundjes, por nuk dimë se deri ku pengohet transmetueshmëria. Personi i vaksinuar mund të mos sëmuret rëndë, por nuk e dimë sa pengon përhapjen dhe nuk mund të themi se kur ndalon procesi i përhapjes. Nëse vaksinimi rezulton me ritme të rregullta do të kemi mundësi të marrim frymë lirisht pas 6 muajve të parë të vitit 2021”.
Mjekja Kuli theksoi se po shihet mundësia që të kryhet vaksinimi i kombinuar në varësi të dozave që do të ofrohen, që paralelisht me shërbimin mjekësor të vaksinohen edhe të moshuarit apo ata më të rrezikuar.
“Do të bëhet një vaksinim i kombinuar, mjekët, personeli i shërbimit dytësor, urgjencat reanimacioni e reparte te tjera dhe po shihet mundësia që të bëhet vaksinim i kombinuar në varësi të dozave që do të na ofrohen që në të njëjtën kohë me personelin shëndetësor të aplikohen doza në shtëpitë e të moshuarve apo ata persona problematikë sa u takon sëmundjeve kronike, që të mos lëmë pas dore ato kontigjentë të tjerë të popullatës”.
Sipas Kulit ky proces do të zgjasë disa muaj dhe krahas qendrës së vaksinave në stadiumin “Air Albania” do të ketë edhe dy qendra në spitalet e Shkodrës dhe Fierit.
“Ky proces do të shkojë deri në disa muaj. Përveç qendrës së vaksinës në stadium do të ketë dhe dy qendra në spitalet e Shkodrës dhe Fierit që të realizohet vaksinimi i një popullate të madhe”.
Për ata persona që e kanë kaluar Covid-19, mjekja thotë që nuk është e këshillueshme që të vaksinohen menjëherë, por me uljen e antitrupave mund të bëhet vetëm një dozë e vaksinës.
“Ata që kanë kaluar nëse vaksinohen menjëherë pas vaksinimit kanë nivel të lartë antitrupash dhe nuk është në përfitim të tyre, me uljen e antikorpeve është e këshillueshme që të bëhet vaksina dhe nga shumë mjekë thonë që mjafton vetëm një dozë për të ngacmuar aparatin imunitar që është i njohur me këtë proteinë”.
E pyetur se cili shtet siguroi vaksinën për vendin tonë, edhe mjekja Kuli ruajti anonimatin duke u shprehur se për të ishte e rëndësishme sigurimi i vaksinës dhe siguria e saj.
“Nuk kam informacion cili shtet e ka siguruar vaksinën, kjo do të zbulohet me kalimin e kohës. Çdo doze e siguruar nga mënyra të ndryshme mendoj që është në përfitim të procesit të vaksinimit.
Përveç këtyre 975 dozave, do të vijnë edhe 2 mijë doza të tjera dhe pastaj me 10 mijë dozat e para të Covax dhe 500 mijë doza deri sa të funksionojnë marrëveshje me të gjitha kompanitë që ofrojnë vaksina. Nuk më intereson nga kanë ardhur, kam siguri në vaksinën që ka ardhur dhe kjo më mjafton dhe njihet sa i takon efikasitetit dhe efekteve anësore”.
Ajo shpjegoi edhe mënyrën e vaksinimit dhe ruajtjes së vaksinës. Një flakon përmban 5-6 doza që duhet të aplikohen të gjitha dhe kjo kryhet me planifikim.
“Vaksinat transportohen në mënyrë të tillë që të ruhen kushtet, në frigoriferë të mëdhenj ku ruhet temperatura dhe të mbushura me akull të thatë dhe janë të siguruar nga kompania që dërgon vaksinën dhe këtu futet në frigoriferë të posaçëm dhe mbahet deri në momentin e përdorimit. Në momentin që përdoret del dhe mund të shkrihet në frigoriferë të zakonshëm aty aplikohet holluesi. Një flakon përmban 5-6 doza dhe ato duhet të aplikohen të gjitha. Rëndësi ka që të aplikohet doza e domosdoshme deri tani nuk ka ndonjë problem por jemi në ditën e parë”.
Sipas saj vaksinimi do të dokumentohet dhe mbikëqyret nëse do të ketë efekte anësore të padëshirueshme. Kuli thekson se për një person që ka kryer vaksinën duhen 28 ditë që të konsiderohet se ka fituar imunitetin.
“Regjistrohet koha, qytetari, sëmundjet dhe nëse do kemi efekte të padëshirueshme apo anësore të gjitha do të mbikëqyren. Patjetër që do të ketë një vërtetim apo regjistër elektronik për personin e vaksinuar dhe numri i flakonit që është aplikuar për të ditur deri në fund. Ky është dokumentim i një procedure. Ne si personel shëndetësor patjetër që e dokumentojmë.
Akoma nuk kanë dalë protokollet, por nëse një person i vaksinuar, i dokumentuar duhen 28 ditë që të konsiderohet që ka fituar imunitetin. Nuk e kam idenë, nuk ka protokolle të caktuar me privimin apo diskriminimin e personave kur vaksina nuk është e detyrueshme”. (A2 Televizion)