Vijon situata e rënduar në Shkodër, liqeni vetëm 10 cm larg kuotës maksimale

Nga A2 CNN
11 Janar 2021, 18:53 | Aktualitet

Situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut në Shkodër vijon të jetë e rënduar. Sipas të dhënave të fundit nga Prefektura e këtij Qarku mësohet se liqeni i Shkodrës është shumë pranë pikës kritike. Hidrometri Liqenit të Shkodrës në orën 17.30, shënoi kuotën 8.60 m, ndërkohë që kurota maksimale është 8.70 m. Po kështu edhe lumi Drin, i cili deri në orën 17:30  shënoi kuotën 7.07m, ndërsa kuota maksimale është 7.50 m.

Deri më tani në Bashkinë e Shkodrës rezultojnë të përmbytura 1893 Ha sipërfaqe totale.

Ndërkaq vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta dhe kalimi mund të kryhet vetëm me mjete të larta, ndërsa niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80cm. Edhe ujësjellësi Oblika 1 vazhdon të jetë jashtë funksionit, si pasojë e përmbytjeve.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatërat Shirq me Darragjat.

Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë, si edhe në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.

Po kështu gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj. Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos