
Gjatë një komunikimi në Elbasan, në kuadër të turit të tij në qytetet e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama iu rikthye edhe njëherë çështjes së vaksinimit të disa personaliteteve të vendit, që janë mbi 80 vjeç, që shkaktoi reagime të shumta.
“Bëhet fjalë për të filluar vaksinimin e 80-vjeçarëve me disa personalitete, për të dhënë një mesazh solidariteti me ta, sepse e vë re që kur këtë njerëz ndahen nga jeta ka një moment lotderdhjeje e fjalimesh për ta që nuk ma ha mendja se do të dukeshin më bukur nëse ne do të duhej të përballeshim, largqoftë, me humbjen e ndonjërit prej tyre për shkak të mungesës së vaksinës”, tha Rama. “Ata do të jenë të parët, në një ditë kur do të vaksinohen edhe të tjerë njerëz të zakonshëm. Por fillon me ta, në mënyrë simbolike”.
Rama e quajti të padenjë reagimin që ka ardhur pas deklaratës së tij disa ditë më parë. “Shumë mizerabël do të thosha, nga njerëz që përpiqen ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të shfryrë mllefin e tyre ndaj qeverisë, ndaj meje. Gjithë kjo stuhi kur bëhet fjalë për disa dhjetëra persona, që janë vetëm një pikë uji në det, në peshën e personave që do të vaksinohen”.
Procesi i vaksinimit për kategorinë e personave mbi 80-vjeç do të nisë këtë të diel, fillimisht me disa personalitete të shoqërisë shqiptare, njoftoi kryeministria. (A2 Televizion)