
Me apo pa vaksinë në auditorë? Kjo është dilema e ditëve të fundit për studentët që presin të nisin vitin e ri akademik. Për gati 1 vit, mësimi për studentët u zhvillua online, duke i mbajtur ata jashtë dyerve të universiteteve. Për këtë vit, studentëve u është komunikuar nga autoritetet shëndetësore dhe ekzekutivi, se kthimi në auditorë varet nga vaksinimi i tyre.
Por këto deklarata të bëra në media, nuk do të njihen nga rektorët e universiteteve, duke lënë të hapur pjesëmarrjen në auditorë, referuar vetëm protokollit të distancimit social dhe ruajtjes së higjienës.
Zgjidhja edhe për këtë vit, është e parashikuar sipas të njëjtit protokoll.
“Ne e kemi gati protokollin. Leksionet do t’i zhvillojmë online, ndërsa seminaret me pak studentë si dhe me dy turne”, thotë Arben Gjata.
Sfida më e madhe për universitetet duket se mbetet akreditimi i tyre. E në këtë pikë, mungesa e kërkimit shkencor është vetëm një nga hallkat që duhen plotësuar.
“Tarifa është shumë e lartë, nuk kemi fonde për të paguar akreditimin”, shprehet Arben Hoxha.
Paralelisht me këto shqetësime, universitetet në bashkëpunim me ekzekutivin dhe Ministrinë e Arsimit duhet të çojnë përpara edhe një nga ligjet më të debatuar, atë të arsimit të lartë. (A2 Televizion)