
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i ka bërë thirrje Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) të shpejtojë procesin e miratimit të vaksinës Pfizer-BioNTech.
“Të gjitha të dhënat e nevojshme nga BioNTech janë atje. SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dhënë tashmë autorizim. Një vlerësim i të dhënave dhe autorizimi nga EMA duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkroi Spahn në rrjete sociale.
"Kjo lidhet edhe me besimin e njerëzve në aftësinë e Bashkimit Europian për të vepruar", shtoi Spahn.
Ai theksoi se Gjermania është pranë përfundimit të dhjetërave qendrave të vaksinimit në të gjithë vendin për të shpërndarë vaksinat pasi ato të miratohen.
Gjermania po sheh një rritje të infeksioneve dhe vdekjeve nga koronavirusi. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, njoftoi të dielën se vendi do të shkojë në një bllokim "të vështirë" kombëtar, duke filluar nga java e ardhshme dhe duke vazhduar gjatë periudhës së Krishtlindjes. (A2 Televizion)