Vala e të nxehtit përfshin Mesdheun, mijëra të evakuuar

Nga A2 CNN
18 Korrik 2022, 07:22 | Bota
Vala e të nxehtit përfshin Mesdheun, mijëra të evakuuar

Franca ka evakuuar më shumë se 16 000 njerëz të kërcënuar nga zjarret në jugperëndim të vendit, ndërsa zjarret u përhapën edhe në Spanjë, Kroaci dhe Greqi.

Autoritetet në Gironde të Francës, një rajon i njohur turistik, kanë evakuuar rojet nga kampingjet, kurse turistët u larguan më herët. Zjarret janë përhapur në zonat Teste-de-Buch dhe Landiras.

Në Spanjën jugore, më shumë se 3200 njerëz u larguan nga zjarret në kodrat Mijas, megjithëse më vonë disa mundën të ktheheshin.

Zjarret e Portugalisë janë vënë nën kontroll për momentin. Më shumë se 1000 vdekje i janë atribuar vapës në Portugali dhe Spanjë ditët e fundit.

Zjarret e Mijas në Spanjë janë jo shumë larg nga Málaga, një zonë e njohur turistike, ndërkohë që zjarret kanë shpërthyer edhe në provincat Castilla y León, Galicia dhe Extremadura në Spanjë.

Në të gjithë Mesdheun, nga Maroku në perëndim deri në Kretë në lindje, po punojnë me mijëra zjarrfikës dhe shumë avionë me ujë. Që nga e marta, i gjithë rajoni është zhytur në vapë të fortë, duke tharë bimësinë.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.

Shërbimi francez i motit parashikoi temperatura deri në 41 gradë celsius në jug të vendit të dielën dhe rekorde të reja të nxehtësisë parashikohen për të hënën. Në Portugali, temperatura kohët e fundit arriti në 47 gradë celsius.

Në Mbretërinë e Bashkuar është dhënë paralajmërim për nxehtësi ekstreme në të gjithë pjesët e Anglisë, pasi vendi po përgatitet për temperatura rekord të hënën dhe të martën, ndoshta duke arritur në 41 gradë celsius në disa pjesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos