
Vazhdojnë trazirat në Kili. Vendimi i presidentit, Sebastian Pinera, për të shkarkuar të gjithë ministrat e tij nuk shërbeu për të qetësuar popullatën. Ai madje njoftoi dhe heqjen e gjendjes së emergjencës, në fuqi prej më shumë se një jave. Por edhe ky vendim nuk ndaloi qytetarët të shprehnin zemërimin e tyre në shesh.
Protestat në Kili nisën një javë më parë për shkak të rritjes së çmimit të biletave në transportin publik si dhe për koston e lartë të jetesës. Këtë fundjavë në Santiago manifestuan mbi 1 milionë persona.
Pavarësisht masave të marra, presidenti Pinera vazhdon të humbasë pikë në sondazhe. Vetëm 14% e qytetarëve e mbështesin atë, pjesa tjetër duket se është e gjitha në shesh. Protestat në Kili kanë shkaktuar 19 viktima, mijëra të plagosur dhe shumë të arrestuar. (A2 Televizion)