
Një postim i zëvendëskryeministrit Erjon Braçe në llogarinë e tij të “Instagram”-it mbi situatën aktuale në futbollin shqiptar, ka shkaktuar edhe një reagim të fortë nga ana e Andi Lilës, futbollistit të Kombëtares.
Teksa u referohet dy lajmeve të ditëve të fundit për situatën financiare të klubeve dhe akuzat e dënimet për trukime të skuadrave në vendin tonë, Braçe shkroi: bilance mizerabël, të pistë e jo transparentë! Garë e paracaktuar në funksion të përfitimeve nga bastet ndërkombëtare!”. Më tej, Braçe shkruan se këto janë çështjet që duhet të diskutojmë, një për një. “Një investitor privat, i joshur nga favori fiskal, kurrë nuk do të financojë një garë të paracaktuar”.
Pas këtij postimi, ka ardhur edhe një reagim nga Andi Lila. Lojtari i kombëtares shkruan në cilësinë e Kryetarit të Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë. Ai i drejtohet Braçes duke i thënë se politika në vend i ka pasur të gjitha mundësitë të përmirësonte statusin e futbollistëve. Më tej, ai ngre edhe disa pyetje. “A nuk ka qenë detyrë e administratës tatimore që të kontrollojë klubet e futbollit jo vetëm për bilancet mizerabël, por edhe për pagimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore për futbollistët? Përse z.Braçe, politika kujtohet për futbollin vetëm kur shkojmë në Europian apo fushata elektorale ku premtimet asnjëherë nuk mbahen. A e dini se të humburit e përhershëm nga mungesa e vullnetit politik janë FUTBOLLISTET. Është pikërisht mungesa e vullnetit politik që te futbolli profesionist të ketë përmirësime thelbësore që na bëri ne si futbollistë që të angazhoheshim në themelimin e Sindikatës ton”.
Braçe reagoi sërish, duke e nisur postimin e tij: Për Andin, futbollin e pistë dhe ligjshmërinë që dua! Zëvendëskryeministri thekson se nuk do të replikonte kurrë me një futbollist, por në këtë rast, ai thotë se Lila u prezantua si kryetar i sindikatës. Më tej, Braçe rendit edhe faktet që sipas tij, mbështesin postimin e tij të parë për problemet e futbollit në vendin tonë. (A2 Televizion)