
Pas një vere të gjatë pa ujë, Tirana vijon të ketë mungesa në furnizim. Por për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj problemi ka kaluar dhe se sipas tij, gjithçka ka ardhur për shkak të një avarie nga rrëshqitja e dherave në rrjetin e Bovillës.
Gjatë një tryeze për qeverisjen vendore, kryebashkiaku nuk ka fshehur tensionin ndaj asaj që po ndodh në Tiranë, ku pas krizës së ujit, ndodhi tërmeti dhe më pas përmbytjet.
Por kjo nuk e ka penguar kryebashkiakun të kërkojë më shumë kompetenca, konkretisht të drejtën për të dhënë leje mjedisore, moment për të cilin nuk kurseu sulmin ndaj ministrit Klosi dhe “shvejkëve” në ministrinë e tij, siç i quajti Veliaj.
“Një rrëshqitje e madhe zhvendosi të gjithë tubacionin e ujit që vjen nga Bovilla në Tiranë. Ajo që i kemi bërë natyrës herët apo vonë na kthehet mbrapsht. Pasi mbaroi edhe kjo sfidë nuk morëm dot frymë pasi patëm edhe tërmetin”, tha Veliaj. (A2 Televizion)