
Miqësorja e legjendave të Kosovës dhe Shqipërisë, e përcaktuar të luhet më 16 shkurt për nder të Pavarësisë së Kosovës, ka ndryshuar destinacion. Vëllazërorja festive do të zhvillohet në Prishtinë, por për shkak të kushteve atmosferike është zhvendosur nga stadiumi “Fadil Vokrri” në impiantin e skuadrës "2 Korriku".
Njoftimi është dhënë nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila saktësoi se ndryshimi i stadiumit, nuk ndikon në orarin e ndeshjes. Përballja e yjeve të së kaluarës ndërmjet shqiptarëve në të dyja anët e kufirit do të luhet sipas programit në orën 12:00.
Pjesëmarrës në vëllazëroren e Pavarësisë do të jenë yjet e futbollit shqiptarë si Erjon Bogdani, Blendi Nallbani, Altin Lala, Alban Bushi, Geri Cipi, Ahmet Beselica, Eroll Salihu, Muharrem Sahiti, Isa Sadriu dhe shumë të tjerë. Një spektakël i cili nuk do të shijohet si duhet nga spektatorët, për shkak të masave shtrënguese prej pandemisë. (A2 Televizion)