Vendimi i Kushtetueses për zgjedhjet e 30 qershorit, Presidenca: Gjykata i zhgënjeu të gjithë, hoqi dorë nga funksioni i saj

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2021, 17:22 | Politikë
Vendimi i Kushtetueses për zgjedhjet e 30 qershorit, Presidenca: Gjykata i

Institucioni i Presidencës, përmes këshilltarit ligjor Bledar Dervishi reagoi zyrtarisht për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Dervishi akuzoi Gjykatën Kushtetuese se nuk pati vullnet që ta zgjidhte këtë çështje dhe se cënoi parimet e transparencës dhe procesit të rregullt gjyqësor, duke hequr dorë nga ushtrimi i funksionit të saj dhe dërgimin për opinion në Komisionin e Venecias.

“Kjo gjykatë i zhgënjeu të gjithë. Kushtetuesja për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim, hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj dhe shpalli veten si jokompetente. Për fat të keq, Kushtetuesja me vendimmarrjen e saj e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare. Gjykata nuk mori guximin të shpjegonte apo t’i kthente përgjigje pyetjeve në objektin e shqyrtimit. Nëse Gjykata nuk do të kishte anashkaluar pyetjet, sot do të kishim një vendim themeli. Është e qartë se Gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë  çështje, por ja la juridiksionit politik. Gjykata Kushtetuese cënoi parimet e transparencës dhe procesit të rregullt gjyqësor. Në mënyrë të papritur ajo e pezulloi shqyrtimin e çështjes dhe iu drejtua Komisionit të Venecias”, u shpreh Dervishi.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për të shpallur antikushtetuese zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke njohur si kushtetues zhvillimin e tyre.

Pasi mori në shqyrtim edhe opinionin e Komisionit të Venecias, Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të përfaqësuar nga Voltana Ademi, për kushtetutshmërinë e regjistrimit të Partisë Bindja Demokratike në zgjedhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos