
Kërkesa e javëve të fundit të zyrtarëve amerikanë për kandidatë me integritet duket se nuk ra në vesh të shurdhët, të paktën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ilirjan Celibashi nisi procedurën për verifikimin e 30 kandidatëve ndaj të cilëve kishte indicie që ngrejnë dyshim për legjitimitetin e kandidimit.
Tre janë emrat më të përfolur ditët e fundit si kandidatë me probleme. Socialistët kërkojnë çregjistrimin e kandidatit të Berishës në Shijak, Rezear Tusha.
Ndërsa koalicioni “Bashkë fitojmë” largimin e Kreshnik Hajdarit të PS-së në Kuçovë dhe Demokratët e Alibeajt ndalimin e socialistit Qerim Ismailit në Mallakastër. Argumentet e këtyre të fundit u dukën më bindëse për Celibashin.
Krahas integritetit të kandidatëve, KQZ mbushi arkat e partive duke ndarë fondet vjetore qëshkojnë si mbështetje buxhetore për partitë politike.
Gati gjysmën e pareve i morën socialistët si partia më e madhe, ndërsa rreth 1 milionë dollarë shkuan për PD e Enkelejd Alibeajt.
Sali Berisha mbeti pa mbështetje buxhetore nga fondet e shtetit, pasi paratë tashmë i menaxhon Alibeaj, të cilit i janë shtuar edhe shpenzimet financiare pas marrjes me qira të zyrave të reja. (A2 Televizion)