
Ballkani mund të jetë vatra më e re e tensionit për shkak të ndikimit rus dhe kinez dhe veriu i Kosovës pika më e nxehtë. Kështu deklaroi në studion e Ditari në A2 CNN ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ndërsa e cilësoi absurd qëndrimin e Shqipërisë lidhur me këtë situatë. Ai zbuloi edhe bisedën me gjeneralin amerikan Westly Clark dhe tha se Serbia po vepron në Kosovë në të njëjtën mënyrë si Rusia në Ukrainë.
“Shoh politikë të koordinuar të Beogradit me Rusinë, po ravijëzohen dy blloqe BE-SHBA-Kanada NATO dhe Kina, Rusia, India, Iran dhe po qasen për të krijuar një rend të ri botëror. Duke vlerësuar edhe atë që Ballkani mund të jetë një vatër e re tensioni duke pasur parasysh historitë dhe ndërhyrjet rus e kineze ka potencial problematik për konflikte dhe vatra më e nxehtë është veriu i Kosovës. Është një histori qëndrimesh e probelemesh që duhet të kishim analizuar më kohë. Sot Serbia shpenzon mbi 3% të buxhetit për pajisje ushtarake e ofensive nga Rusia e Kina. Republika Srpska ka marrë qëndrim për t’u shkëputur nga Bosnjë Hercegovina dhe kjo e mirëkoordinuar nga Serbia. U tentua grusht shteti në Mal të Zi dhe vazhdon një ndërhyrje agresive në Mal të Zi. Ka qëllim për kthimin e forcave pro ruse e serbe në Mal të Zi”.
Qëndrimi i Shqipërisë për këtë situatë është absurd, thotë Mediu, teksa tregon edhe hapat urgjente që duhet të ndërmarrë vendi ynë.
“Absurd qëndrimi i Shqipërisë, si ka mundësi që nuk kemi qëndrim institucional në këtë situatë njerëzit që drejtojnë këto institucionet nuk e kanë pronë private por duhet të përmbushin detyrat kushtetuese. Hapi i parë është që duhet të tregojmë që kemi shtet dhe të veprojmë si shtet që ka këshillin e sigurisë kombëtare. Hapi i dytë qasja diplomatike, të përgatisim një marrëdhënie si faktor rajonal për atë që ndodh në rajon dhe kemi nevojë për konsultim me partnerët. Të shtrojmë në nivelet e NATO-s shqetësimin për atë që po ndodh në Ballkan, NATO ka shqetësim specifik për Ballkanin. Në strategjinë e Rusisë sot është interesi për vatra të reja konflikti”.
Në bisedën me gjeneralin amerikan Westly Clark, Mediu tha se pajtohen me qëndrimin që kërkohet shpërqëndrim vëmendjeje nga ajo që ndodh në Rusi dhe kjo i shërben interesave të Rusisë e Serbisë për të realizuar qëllimet e veta.
“Para se të vija këtu pata një bisedë me gjeneralin ëestly Clark, i cili është marrë me çlirimin e Kosovës dhe pajtohet me idenë kërkohet shpërqëndrim vëmendje nga ajo që ndodh në Rusi dhe kjo i shërben interesave të Rusisë e Serbisë për të realizuar qëllimet e veta. E gjithë narrativa e Vuçiçit është e njëjta me atë që kanë përdorur rusët në Ukrainë. Të njëjtën mënyrë që ka ndjekur Rusia po bën Serbia dhe ne rrimë e vëzhgojmë”.
Deklarata e presidentit malazez Gjukanoiviç kur thotë se Serbia ka interes të zhdukë nga harta edhe Malin e zi dhe Kosovën duhet të shërbejë si kambanë alarmi edhe për vendin tonë, thekson ish-ministri i Mbrojtjes.
“Secili nga ne të lexojë qëndrimin e Gjukanoviç, të gjitha që po ndodhin në rajon nuk janë spontane dhe duhet të kuptojmë që nuk jemi të imunizuar. Serbia sot ka vëmendje të shtuar nga SHBA jo si vend kundërshtar, por si vend për tu’ tërhequr në NATO dhe për ta shkëputur nga Rusia.
Mediu apelon për ngritjen e një institucioni për vlerësimin e sigurisë kombëtare dhe thekson se Shqipëria duhet të provojë se kush i ka kryer krimet në Kosovë, pasi ajo që po ndodh në Hagë sipas tij nuk është rastësore.
“Ne duhet të provojmë se kush i ka kryer krimet në Kosovë, jemi në pozicion problematik me atë çka ndodhur në Hagë se ata që luftuan kundër gjenocidit e krimeve akuzohen, kurse ata që i kanë bërë janë të lirë. A ndodh kjo në mënyrë rastësore. Duhet të jemi syhapur, kërkohen veprime të gjykuara dhe jo spontane nga ana jonë, ne nuk mund të veprojmë si një vend që nuk e dimë çfarë është siguria kombëtare. Kosova duhet të ketë koordinim politik, ne si Shqipëri të luajmë rolin tonë edhe si parlamentarë, ku mund të kthehemi në faktor të një bindjeje apo ideje për atë që po ndodh në Ballkan. Është e domosdoshme dhe e kam këtë thirrje që të kemi institucion për vlerësimin e koordinimin sigurisë kombëtare dhe ky të jetë institucion permanent”. (A2 Televizion)