
Aston Villa vazhdon të vuajë në këtë sezon. Skuadra pësoi një tjetër humbje të rëndë, me shifrat 3-0 në fushën e Fulham. Ky rezultat u shoqërua edhe me shkarkimin e trajnerit Steven Gerrard.
Ende pa mbushur një vit në krye të stolit, ish-legjenda e Anglisë u detyrua të largohet nga detyra me efekt të menjëhershëm. Rrjetat e Reed e Mitrovic, si edhe autogoli i Mings vulosën fatin e teknikut.
Në 11 ndeshje të luajtura në këtë edicion të Premier League, Aston Villa ka fituar vetëm në dy raste. Skuadra është vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria dhe drejtuesit e klubit kërkojnë kthesën e menjëhershme.
“Dëshirojmë të falënderojmë Steven për punën dhe angazhimin me skuadrën. I urojmë suksese në të ardhmen”, thuhej në njoftimin e klubit për largimin e Gerrard.
Në takimin tjetër, që mbylli javën e 12-të të kampionatit anglez, Leicester City fitoi përballë Leeds dhe trajneri Brendan Rodgers lehtësohet nga presioni i shkarkimit.
Pas autogolit të Koch, ishte Barnes ai që dyfishoi shifrat dhe i mundësoi “Dhelprave” që të largohen nga vendi i fundit në renditje. (A2 Televizion)