Boiken Abazi dhe Iljaz Shehu për Lezhën janë për momentin kandidatët e vetëm në debutin e Vetëvendosjes në zgjedhjet politike shqiptare. Por a e duan shqiptarët të renë në politikë? Kandidati për Tiranën e VV, Boiken Abazi, është optimist në këtë drejtim. “Jemi në momentin e grumbullimit të nënshkrimeve për dy kandidaturat. Ne e quajmë veten si lëvizje, por ky është një hap në kuadër të një plani më të madh, që nuk ka nisur prej nesh, por me Rilindjen kombëtare, dhe në jemi duke e aktualizuar sipas nevojave të shqiptarëve në shekullin XXI”, thotë ai për A2. Sipas tij, kandidatët mund të shtohen gjatë rrugës, “ftesa mbetet e hapur për 7 mars, dhe ftojmë të gjithë ata që kanë dëshirë, të duken. Ne do të japim mbështetje por nuk përkrahim këdo. Ne nuk mbështesim ata që nuk duan bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, që nuk pajtohen me projektin zhvillimor që ne besojmë për Shqipërinë. Siç thotë dhe kandidati Iljaz Shehu, që na mbështeste qysh kur studionte në Paris, kandidimi ynë është një akt rezistence, nga gjithë ajo që ka ndodhur në këto 30 vjet, akt që i përplaset në fytyrë cinizmit që mbizotëron në segmente të shoqërisë shqiptare, dhe i heq frikën qytetarëve që dëshirojnë të shohin ndryshime rrënjësore, por kanë menduar se kjo është e pamundshme”. Sipas tij, “ka nisur angazhimi i shumë njerëzve që besojnë, sepse shohin tek VV dritën në fund të tunelit, pas premtimeve boshe dhe keqpërdorimin e njerëzve. Shohin një shpëtim edhe për Shqipërinë, sepse në Kosovë jemi në prag të një fitore historike”. Pikërisht ngërçin juridik që pengon liderin e Vetëvendosje Albin Kurti të kandidojë si pasojë e një dënimi të mëparshëm, Abazi e sheh si “një lojë e pisët, nga ana e disa institucioneve të kapura. Zoti Kurti ka qenë i dënuar me kusht në kohën kur Serbia projektonte një shtet brenda shtetit, ai do ta bënte edhe sot. Vendimi i KQZ nuk ka as bazë ligjore, dënimi me kusht në bazë të kodit të vjetër penal, ku specifikisht thuhet se nëse dënohesh me kusht, nuk vuan pasoja për sa i përket kandidimit. Është thjesht një akt i dëshpëruar nga zonja Daka”. (A2 Televizion)
Vetëvendosje debuton në zgjedhjet shqiptare, Abazi: Pjesë i një plani më të madh, njerëzit shohin tek ne dritën në fund të tunelit
