Britania rihap debatin për rikthimin në BE, Burnham shqyrton afrimin me Brukselin, kundërshtime brenda qeverisë

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2026, 22:00 | Bota

Britania rihap debatin për rikthimin në BE, Burnham shqyrton afrimin

Kryeministri britanik Andy Burnham po shqyrton mundësinë e një afrimi më të ngushtë me Bashkimin Europian, duke rikthyer në debatin politik edhe perspektivën e anëtarësimit të plotë të Britanisë në BE, gjashtë vite pas Brexit-it.

Sipas gazetës britanike “The Times”, Burnham pritet të prezantojë këtë javë një vizion të ri për marrëdhëniet me Brukselin, pas kontakteve me disa liderë europianë, mes tyre edhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Plani fillestar parashikon lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik me BE-në. Në diskutim janë mundësitë për shkëmbime më të mëdha arsimore dhe profesionale për të rinjtë, integrimi i tregjeve të energjisë dhe përafrimi i rregullave për ushqimin dhe bujqësinë.

Një tjetër mundësi është pjesëmarrja e Britanisë në nismën industriale europiane “Made in Europe”.

Megjithatë, ambiciet e kryeministrit shkojnë përtej një marrëveshjeje të re bashkëpunimi. Në diskutim janë edhe skenarë afatgjatë, si rikthimi në tregun e përbashkët europian, bashkimi doganor dhe, në perspektivë, anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian.

Por nisma po përballet me rezistencë brenda vetë qeverisë dhe Partisë Laburiste. Një pjesë e deputetëve druhen se rihapja e debatit për Brexit-in mund të rikthejë ndasitë politike të referendumit të vitit 2016. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos