Irani shton presionin ndaj vendeve të Gjirit me sulme me dronë, Trump refuzon negociatat dhe zgjedh pritjen

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2026, 22:26 | Bota

Irani shton presionin ndaj vendeve të Gjirit me sulme me dronë, Trump

Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen sërish, ndërsa Irani po shton presionin ndaj vendeve të Gjirit Persik përmes sulmeve me dronë dhe kërcënimeve të reja, në një kohë kur negociatat me Shtetet e Bashkuara mbeten të bllokuara. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump po sinjalizon se nuk ka ndërmend të nxitojë drejt një marrëveshjeje me Teheranin, duke preferuar vazhdimin e presionit ekonomik dhe diplomatik.

Sipas një analize të CNN, shqetësimi në vendet e Gjirit është rritur pas dy përpjekjeve të fundit për sulme me dronë ndaj Bahreinit, aleat i Uashingtonit dhe vend që strehon baza të rëndësishme ushtarake amerikane.

Forcat Mbrojtëse të Bahreinit njoftuan të dielën se kishin kapur dhe shkatërruar disa dronë iranianë, pas një incidenti të ngjashëm të premten. Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit kishte marrë më herët përgjegjësinë për një sulm ndaj një baze amerikane helikopterësh në këtë vend.

Përshkallëzimi ushtarak shoqërohet edhe me deklarata gjithnjë e më të ashpra nga Teherani ndaj shteteve fqinje. Zyrtarët iranianë kanë kundërshtuar kërkesat për kompensim ndaj vendeve të Gjirit që pretendojnë se janë dëmtuar nga sulmet iraniane, duke argumentuar se këto shtete kanë lejuar përdorimin e territorit dhe hapësirës së tyre ajrore për operacionet kundër Iranit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se vendet e rajonit duhet të kenë kujdes që të mos rihapin “plagët e vjetra”, duke iu referuar mbështetjes së tyre për Irakun gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos