Valë kërcënimesh me bomba në Evropë, alarmohen aeroportet dhe mijëra shkolla, autoritetet në gatishmëri

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2026, 21:07 | Bota

Valë kërcënimesh me bomba në Evropë, alarmohen

Një valë e gjerë kërcënimesh me bomba ka përfshirë disa vende evropiane, duke shkaktuar alarm në aeroporte, shkolla dhe institucione të ndryshme. Më shumë se 50 fluturime janë prekur nga kërcënimet, ndërsa mijëra shkolla kanë marrë mesazhe kërcënuese përmes postës elektronike.

Sipas CNN, mesazhet janë dërguar kryesisht përmes email-eve dhe kanë vënë në provë sistemet e sigurisë në disa shtete. Deri më tani, kërcënimet e raportuara kanë rezultuar të rreme, por autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

Në disa raste që kanë përfshirë avionë pasagjerësh, fluturimet janë devijuar drejt aeroporteve të tjera. Në Hungari dhe Francë, avionët luftarakë janë ngritur në ajër për të shoqëruar avionët që ishin objekt i kërcënimeve.

Italia është ndër vendet më të prekura nga kjo situatë. Rreth 6,300 shkolla morën mesazhe kërcënuese të mërkurën, ndërsa 3,778 të tjera u vunë në alarm të enjten. Qindra institucione arsimore u evakuuan, ndërsa në disa të tjera mësimi vijoi normalisht.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u ka bërë thirrje prindërve të ruajnë qetësinë, ndërsa ka propozuar rishikimin e protokolleve të evakuimit. Sipas saj, një email masiv kërcënues nuk duhet të jetë automatikisht arsye për mbylljen e një shkolle, nëse nuk ka prova konkrete për një rrezik real.

Kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe në shkolla në Skoci, Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës. Në Britaninë e Madhe, aeroportet Heathrow dhe Birmingham vijuan aktivitetin normal, pasi autoritetet i vlerësuan mesazhet si jo të besueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos