
Estonia ka ngritur nivelin e alarmit të sigurisë pas një tentative për sabotim ndaj një kompanie vendase që prodhon dronë dhe sisteme mbikëqyrjeje, sulm që sipas autoriteteve ishte urdhëruar nga inteligjenca ruse.
Kryeministrja Kristen Michal deklaroi se vendi po shqyrton edhe mundësinë e mbylljes së kufirit me Rusinë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurisë kombëtare.
Objektiv i sulmit ishte kompania estoneze Threod Systems. Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, tentativa ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe kishte si synim shkaktimin e një shpërthimi dhe vënien e zjarrit në ambientet e kompanisë.
Kryeministrja Michal bëri të ditur se sulmi u parandalua pa shkaktuar dëme të mëdha, falë masave të shtuara të sigurisë dhe reagimit të shpejtë të forcave të rendit. Ajo konfirmoi gjithashtu se personat e dyshuar janë ndaluar, ndërsa mediat lokale raportojnë për tetë të arrestuar në lidhje me ngjarjen.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministrja estoneze e cilësoi incidentin pjesë të fushatës më të gjerë hibride të Rusisë kundër vendeve evropiane.
“Kjo është pjesë e luftës më të gjerë hibride të Rusisë kundër Evropës, me qëllim uljen e mbështetjes për Ukrainën dhe ushtrimin e presionit mbi Rusinë”, deklaroi Michal. (A2 Televizion)