Vetëvrasjet e pacientëve me Covid-19, Shehu: Pasojë e agresionit terrorizues të kryeministrit

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 09:55 | Aktualitet
Vetëvrasjet e pacientëve me Covid-19, Shehu: Pasojë e agresionit

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid-19, masat shtrënguese, situata e pandemisë, përgatitjet për vaksinën dhe pamjet e transmetuara nga kryeministri në spitalin Covid, janë diskutuar në studion e “Ditari” në A2 CNN me ish- ministrin e Shëndetësisë Tritan Shehu. Për këtë të fundit, ai shprehet se pas këtyre pamjeve fshihet një realitet tjetër.

“Media nuk është shtojcë dhe shërbëtor i regjimit. Media ka sytë e saj, veshët e mikrofonat e saj, media është e lirë të shkojë kudo. Poshtë saj, fshihet një realitet tjetër që kërkohet të maskohet”.

Mbylljen e restoranteve pas orës 22:00, Shehu e cilëson farsë dhe mjegullnajë, pasi sipas tij nuk është marrë asnjë masë që nga vera për të forcuar kapacitetet spitalore.

“Mbyllja e restoranteve pas orës 22:00 është komedi, kush shkon pas orës 22:00 në restorante në një Shqipëri që është në varfëri të thellë. Unë mendoj është një farsë e mjegullnajë për të thënë që po marrim masa. As nuk janë marrë masa dhe kjo ka bërë që mos ketë ndërprerje të fazave të epidemisë, përkundrazi numrat u rritën menjëherë pas mbylljes. Periudha e verës nuk u shfrytëzua për të forcuar kapacitetet tona spitalore. Kapacitetet laboratorike e imazherike në tërësi. Dhe kapacitetet reanimatore që janë pika e fundit mes jetës e vdekjes”.

Sa u takon vetëvrasjeve të pacientëve më Covid-19, Shehu thekson se kjo ka ardhur si pasojë e agresionit terrorizues të kryeministrit dhe situatës së amullt të pandemisë.

“Në asnjë spital të vendeve të zhvilluara nuk ka ndodhur asnjë vetëvrasje. U tha për t’u vënë hekura dritareve të spitaleve, por spitalet nuk janë burgje dhe kampe përqëndrimi. Jemi në amulli dhe keqmenaxhim të thellë të kësaj situate. Vetëvrasjet e pacientëve pasojë e deformimit psikologjik, si pasojë e një agresioni terrorizues nga kryeministri, kur foli që në shkurt për kodra me varrreza, ku nuk ka skema të qarta mjekimi, mungojnë ekzaminimet për testimin, qytetarët duhet të testohen gratis. Amullia që te kujdesi parësor”.

Ish- ministri i Shëndetësisë, e krahason Shqipërinë me Afrikën sa i takon personelit shëndetësor. Sipas tij, vendi ynë ka 1 mjek për 1mijë banorë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka 4 dhe Kosova 3.

“Ka një uri për personelin shëndetësor, është 1 mjek për një mijë banorë , Maqedonia e Veriut ka 4 për një mijë banorë, kurse Kosova ka 3 për një mijë banorë. Ne jemi në gjendje afrikane për kapacitet. Ne kemi një numër infermierësh që duhen shfrytëzuar duheshin marrë që në shkurt të trajnoheshin”.

Shehu i bën thirrje Komitetit të Ekspertëve që të jenë transparentë dhe të dalin mbi qeverinë. Ai thotë se duhet aktivizuar mjeku i familjes, duhen shtuar testimet dhe kapacitetet spitalore, si dhe duhen rimbursuar pacientët.

“Komiteti i Eksprtëve të jenë transparent, të dalin mbi qeverinë, ta kundërshtojnë, ta vënë qeverinë dhe në bankën e të akuzuarve kur duhet. Duhen shtuar testimet PCR, 5 mijë në ditë, duke shkuar drejt PCR të shpejta, duhen mijëra testime imunologjike. Duhet aktivizuar mjeku i familjes, duhet mbrojtur me çdo pajisje mbrojtëse. Shërbimi ambulator duhet të jetë i mbrojtur dhe shpenzimet që pacienti kryen në shtëpi duhen rimbursuar. Diagnostikimet imazherike, duhen rimbursuar nga shteti dhe riaktivizuar spitalet duhen shtuar shtretërit. Ka qenë e domosdoshme që në mars të silleshin 150 shtretër reanimacioni”.

Ai akuzoi qeverinë se nuk po bën asgjë në lidhje me përgatitjet dhe organizimin e punës për vaksinën Covid, ndërkohë që vendet e BE-së, në dhjetor, nisin vaksinimin e grupeve të riskut dhe, në janar, vaksimin masiv të popullsisë.

“Ç’po bëhet për t’u përgatitur për vaksinën Covid? Në BE fillon në dhjetor, si po përgatiten strukturat shqiptare për ta organizuar menjëherë për grupet e riskut dhe pastaj popullsinë, asgjë.

Brenda dhjetorit fillojnë vaksinimin e grupeve në risk dhe kanë përgatitur plan strukturor. Gjermania po mobilizon personelin në pension për vaksinimin e popullsisë që të jetë masiv, i shpejtë dhe që nga janari fillon vaksinimi masiv i popullsisë. Nuk shoh asgjë nga qeveria janë fokusar vetëm te Covax që garanton vetëm 20% të popullsisë dhe këtë deri në fund të 2021-it”, përfundoi Shehu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos