Pandemia dhe propaganda, pamje të pastra dhe me muzikë nga pavionet e spitaleve

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2020, 20:05 | Aktualitet
Pandemia dhe propaganda, pamje të pastra dhe me muzikë nga pavionet e

Ndërsa pandemia është duke i shtrirë gjithnjë e më thellë rrënjët në Shqipëri, ministrja e Shëndetësisë, fjalimin e saj, për të shpjeguar masat shtrënguese, e nisi duke i kërkuar bashkëpunimin medias.

Padyshim që është një vlerësim nga njëra anë, ashtu sikundër nga ana tjetër është edhe një kërkesë aspak e sinqertë e madje fyese, kur fill pas konferencës në kanalin në Facebook të kryeministrit u shfaqën pamjet ekskluzive nga brenda Spitalit Infektiv, ku kamerat e Kryeministrisë kishin sjellë një pjesë të realitetit në atë spital, por të montuara brenda mureve të Kryeministrisë.

Ne e mbështesim punën e shkëlqyer të mjekëve, vetëmohimin e tyre, ashtu sikundër e kemi ofruar edhe ofrojmë bashkëpunimin e pafundmë edhe për Ministrinë e Shëndetësisë dhe gjithë aparatin shtetëror, në këtë luftë që na përket të gjithëve. Por nga ana tjetër, nuk mund të pranojmë të përdoremi vetëm për t’u përmendur si asete mediatike, në një kohë kur prezenca jonë në fakt është vetëm në modelin e transmetuesit të materialeve që përgatiten në montazhet e Kryeministrisë.

Të kërkosh bashkëpunimin e medias nuk është që ajo të jetë foltorja jote sa herë të të duhet, por t’i japësh medias hapësirën që ajo të shikojë përmes fokusit të saj se cilat janë problemet. Ndaj t’i kërkosh medias bashkëpunim është përtej një kërkese poetike, e bërë në momente të vështira kur duhet ta mbyllesh ndonjë sy përballë ndonjë problem, por t’i japësh medias hapësirën që ia njeh edhe ligji edhe marrëveshja shekullore e lajmësit mes publikut dhe atij që qeveris.

Dhe në fund, nuk e dimë sa kohë i është dashur gazetarit të Kryeministrisë për të hyrë në atë spital, çfarë burimesh ka përdorur apo sa kohë i është dashur të bindë mjekët apo pacientët të bëhen pjesë e këtij klipi që vjen era propagandë. Ajo që na mbetet të mësojmë nga kjo që pamë sot është se edhe fjalën ekskluzive na e kanë vjedhur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos