
Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve vijon të jetë temë e nxehtë në politikën shqiptare. Zgjatja e mandatit mbetet ende një dëshirë e mazhorancës dhe ndërkombëtarëve, ndërsa vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u paraqit në Komisionin e Ligjeve duke kërkuar para për të gjithë vitin buxhetor 2022.
Qëndrimi i tyre ngjalli reagimin e deputetit opozitar Oerd Bylykbashi. “Dëgjova zotin drejtor që përmendi fonde të parashikuara deri në fund të fundit, edhe këtë se kuptova. Kam dëgjuar ministren që thotë se ne paratë për vetingun ia kemi alokuar institucioneve aktuale, edhe këtë nuk e kuptova. Nëse do të zbatohet kushtetuta, në 1 janar institucionet kompetente duhet të fillojnë të bëhen gati”, u shpreh Oerd Bylykbashi.
Kreytarja e KPK-së Pamela Qirko e justifikoi kërkesën për para me kërkesën që i kishin paraqitur Kuvendit për zgjatjen e afatit të punës së tyre, kërkesë e cila kërkon së paku 94 vota në parlament për t’u miratuar.
“Kemi evidentuar pamundësinë për të përfunduar procesin e rivlerësimit brenda afateve. Për këtë arsye i jemi drejtuar këtij kuvendi për zgjatjen e afatit. Pra kërkesa ka ardhur nga ne, gjithashtu e mbështetur nga partnerët ndërkombëtar”, tha Pamela Qirko.
Qëndrimi pro i Ministrisë së Financave për t’ia lënë fondet gati u ironizua nga deputeti opozitar.
“Pavarësisht se kushtetuta nuk ua jep këtë gjë. Këtë e bazoni tek propozimet që keni bërë. Ministria e financave, është një nga rastet e radha tërhiqet me sukses, edhe pse të tjerët kanë kompetencën kushtetuese i bie përgjysmë”, tha Bylykbashi.
Pjesë e seancave dëgjimore ishte edhe shkalla apeluese e vetingut ku kryetarja e saj Albana Shtylla, kërkoi shtim stafi për shqyrtimin e shpejtë të çështjeve. (A2 Televizion)