Nga teknologjia tek infrastruktura dhe pagat, Çuçi prezanton buxhetin e Policisë për vitin 2022

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2021, 12:23 | Politikë
Nga teknologjia tek infrastruktura dhe pagat, Çuçi prezanton

Investime në infrastrukturë, teknologji, bonusi në paga dhe rritje e performancës së punonjësve të Policisë për të rritur besimin te publiku janë vizioni i qeverisë për 4 vitet e ardhshme në këtë sektor.

Në prezantimin e buxhetit të vitit 2022, ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, tha se buxheti i vitit që vjen do të financojë të gjitha prioritetet e Policisë së Shtetit, ku sipas tij asnjë qindarkë nuk do të shkojë dëm.

“Dy muaj më parë miratuam programin 4-vjeçar dhe treguam që synimi ynë është modernizmi i policisë dhe rritja e besimit të qytetarëve. Lufta e paligjshmërisë do të ngrihet në tjetër nivel duke adaptuar inovacionin e teknologjinë për të qenë më përpara se ata që thyejnë ligjin. Siguria publike dhe kontrolli i territorit do të ngrihen në tjetër dimension. Kemi rritje të buxheti të shtetit, duke ruajtur, garantuar financimin e prioriteteve tona. Çdo qindarkë e shpenzuar për sigurinë nuk është e çuar dëm. Në 2013, e gjetëm me 70% e automjeteve të patrullave në gjendje të dobët. Sot flota e mjeteve është rinovuar e tëra dhe do të vijojë më tej. Por garën nuk e kemi me të shkuarën, por sfida jonë mbetet vetvetja. Duke shtuar buxhetin në vlerë absolute dhe rialokuar atë buxhet që ka qenë deri sot”.

Për herë të parë, të gjithë punonjësit e Policisë që punojnë larg vendbanimit të tyre nga janari i viti të ardhshëm do të përfitojnë shpërblim sipas largësisë në masën 150%. Sipas Çuçit deri më tani këtë bonus e përfitojnë 1200 punonjës.

“Punonjësit larg vendbanimit do të përfitojnë shpërblim sipas largësisë që shkon deri në 150% të pagës aktuale në varësi të largësisë së vendbanimit. Vetëm sot janë 1200 që përfitojnë nga ky bonus që i jep buxheti i 2022. Ky numër ndryshon nën varësi të lëvizjeve. Për herë të parë, do ketë një trajtim të veçantë për këta punonjës. Kjo rritje do të ketë impakt në buxhetin e tyre dhe në produktivitetin e tyre në punë. Kjo nis nga janari 2022”.

Çuçi njoftoi gjithashtu se në buxhetin e vitit 2022 janë rritur me 5 herë investimet në fushën e teknologjisë dhe kontrollit të territorit me pajisje, që do të çojnë Policinë në një standard tjetër.

“Kemi një shtesë të financimeve për investime në fushën e sigurisë dhe rialokime brenda buxheteve që kanë ekzistuar në vite më parë duke i dhënë peshë investimeve në teknologji. Kemi rritur 70% investimet dhe janë 5 herë më shumë para që do shkojnë në teknologji po jetësojmë vizionin për të investuar në teknologji që do e çojë në standard tjetër policinë. Policia duhet të kontrollojë çdo cep të territorit, për çdo shkelje që ndodh në RSH. Dhe duke investuar në teknologji e modernizimin e territorit do të jetë efikase. Do të investojmë në transmetimin e të dhënave datacom për të pasur rrjet komunikimi brenda trupës dhe për të rritur cilësinë e transmetimeve në kohë reale të trupës së policisë. Do të investojmë në blerje të pajisjeve datacenter që është qendra e vetme e të dhënave që prodhon policia e shtetit. Zgjerimi i unifikuar i emergjencave 112 që punon vetëm në një pjesë të Shqipërisë vitin tjetër të mbulojë të gjithë territorin e vendit krahas komisariatit digjital. Kamerat e trupit, radarët e tabelat digjitale do të jenë vlerë e shtuar për punonjësit e policisë. Me këtë arsenal pajisjesh, do të minimizojmë abuzimet nga punonjësi i policisë dhe dekurajohet logjika e ryshfetit. Nuk ka më negociatë për gjobën. Gjoba vendoset automatikisht shkon me foto e video në sistem dhe në adresë të shkelësit”.

Një tjetër investim i parashikuar në buxhetin e vitit 2022 për policinë e shtetit është edhe përmirësimi i infrastrukturës për të ofruar shërbime më dinjitoze për qytetarët, por edhe për punonjësit e policisë, deklaroi ministri Çuçi.

“Vizioni ynë është shumë i qartë. Përmirësim i infrastrukturës së drejtorive rajonale e komisariateve. Komisariatet vendore të Policisë në Elbasan, Dibër, Sarandë dhe Pika e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, do të rikonstruktohen plotësisht për të qenë në nivelet bashkëkohore, duke ofruar shërbim me standarde të tjera për qytetarët dhe ambiente pune të përshtatshme për punonjësit e policisë, që janë shëmbëlltyrë e cilësisë ndaj komunitetit”.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm vlerësoi edhe bashkëpunimin me partnerët e huaj, ku theksoi se do të investohet në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve.

“Në buxhet është parashikuar gjithashtu bashkëfinancim me partnerët tanë kryesisht në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe Policisë Kriminale me mjete dhe teknologji bashkëkohore. Nga ana tjetër, synojmë profilizimin dhe rritjen e profesionalizmit të Policisë Kriminale, sidomos sektorëve të krimit ekonomik dhe të krimit kibernetik që sot është një problem botëror për të gjithë. Me një gjeneratë të re në Policinë e Shtetit dhe revolucionin teknologjik që do të bëjmë, jam i bindur që në pak kohë kjo trupë do të ecë në të njëjtën korsi shpejtësie me policitë e vendeve të Bashkimit Europian”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos