
Kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se vetingu në politikë është një nismë e rikthyer në Kuvend, në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias në vitin 2018. Ai shtoi se këtë proces duhet ta kryejë një njësi e posaçme brenda vetë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar.
“Respektojmë edhe kërkesën për proporcionalitet, duke kërkuar që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e SPAK. Të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreu të shtetit dhe krerët e institucioneve të tjera të pavarura për lidhje të papërshtatshme, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre në lidhje me personat vetë, familjarët e tyre dhe ortakët e tyre”, tha Basha.
Ai konfirmoi gjithashtu edhe propozimin e amendamenteve kushtetuese për zhbërjen e ndryshimeve të 30 korrikut në reformën zgjedhore, të bëra nga socialistët me votat e opozitës parlamentare të asaj periudhe, si edhe amendamente për reformën territoriale. “Kjo është prioritet për të kthyer shërbimet e munguara nga një reformë që të gjithë e konsiderojnë të dështuar”, shtoi Basha. (A2 Televizion)