
Kur kanë kaluar pak ditë nga përplasja mes një pronari restoranti në Himarë dhe turistëve spanjollë, A2CNN ka siguruar videon e momenteve të tensionit.
Në këto pamje, Mihal Kokëdhima sulmon turistët spanjollë, sapo ata kishin dalë nga restoranti i tij në Himarë.
Në pamjet e siguruara nga A2CNN shfaqet 51-vjeçari duke qëlluar xhamin e automjetit, ku udhëtonte familja spanjolle, shoferi shqiptar dhe guida, gjithashtu shqiptar.
Burimet zyrtare nga policia lokale bëjnë me dije se familja spanjolle ka hyrë në restorantin e Kokdhimës, por nuk ka konsumuar ushqim apo pije.
Ata u larguan, sapo panë menynë, duke thënë diçka në spanjisht, çka mund të ketë acaruar pronarin, i cili i ndoqi nga pas, duke hipur në pjesën e përparme të furgonit, për t’i ndjekur për disa kilometra.
Momentalisht, ai ndodhet në ambientet e paraburgimit dhe të dielën del para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë. (A2 Televizion)