Drejtoria e Patentave në Kashar ka rënë pre e vjedhjes gjatë orëve të natës.
Ka qenë sanitarja ajo që ka zbuluar se dy kasafortat e kësaj drejtorie janë vjedhur ndërsa dyshohet se autorë të kësaj ngjarjeje janë dy persona ende të paidentifikuar. Një prej kasafortave është lënë në zyrë, e boshatisur ndërsa tjetrën autorët kanë arritur ta marrin.
Nuk dihet ende se sa mund të jetë shuma që ata kanë arritur të vjedhin. Kamerat kanë filmuar gjithashtu edhe automjetin që kanë përdorur autorët për t'u larguar nga vendi i ngjarjes.
Disa orë pas grabitjes, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bëri të ditur se për nga verifikimi i dokumentacionit dhe sistemit, rezultoi janë vjedhur 706,148 lekë të reja.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:15-03:15 dhe personat kanë qenë të maskuar, gjatë kohës që shërbimi ka qenë i mbyllur dhe në përgjegjësinë e subjektit që ka kontratë (deri në 23.07.2020) për ruajtjen e objektit”, njoftoi DPSHTRR.
Institucioni bëri gjithashtu të ditur se vlerat financiare janë të siguruara dhe shuma e vjedhur do të kompensohet. (A2 Televizion)