
Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili sipas uniformave blu, tentoi të vidhte dy automjete, ndërsa dyshohet edhe si autor i disa vjedhjeve të tjera.
Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi Xh. Ll., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Shtetasi Xh. Ll u kap dhe u arrestua në flagrancë në bulevardin “Bajram Curri” në tentativë për të vjedhur në 2 automjete të parkuara pranë një pallati. Në momentin që kishte thyer xhamat trekëndësh të dy automjeteve një banor ka njoftuar Policinë. Falë reagimit të shpejtë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2 që patrullonte në territor, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.
Sipas policisë, nga hetimet paraprake rezultoi se ky shtetas ka vjedhur në pesë automjete të ndryshme, në një kompleks pallatesh në Tiranë, duke përvetësuar sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, po ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes në dy lokale, njëri në rrugën “Dritan Hoxha” dhe tjetri në rrugën “Lavdie Petrela”, Tiranë, territor që mbulohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, Tiranë. (A2 Televizion)