Vijojnë pasgoditjet, sizmologu: Tërmeti i djeshëm, jo lidhje me Turqinë

Nga A2 CNN
29 Janar 2020, 12:20 | Aktualitet
Vijojnë pasgoditjet, sizmologu: Tërmeti i djeshëm, jo lidhje me

Shqipëria ka hyrë në periudhën me aktivitet sizmik ndaj duhet të mësohemi me lëkundjet. Specialistët e gjeoshkencave këshillojnë banorët të ruajnë qetësinë në çdo lëkundje dhe se nuk duhet të dalin jashtë pa përfunduar goditja kryesore. Rekomandohet që orenditë në shtëpi të montohen në mënyrë që t’u rezistojnë lëkundjeve.

“Tërmeti i 26 nëntorit tregoi që ishte i fortë. Duhet të mësohemi me tërmetet sepse tani kemi kaluar në një periudhë me aktivitet sizmik më të lartë, siç e tregojnë dhe tërmetet në zonën e Durrësit. Tërmeti i Durrësit ishte me një magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, i cili zakonisht shoqërohet me pasgoditje të cilat vazhdojnë për një periudhë disa mujore. Përderisa tërmeti i djeshëm ishte afër epiqendrës së lëkundjeve sizmike të 26 nëntorit kuptohet që pasgoditjet e atij tërmeti nuk kanë përfunduar dhe janë në vijueshmëri dhe kjo arsye na çon të mendojmë që është një pasgoditje”, u shpreh sizmologu Rrapo Ormeni.

Pas tërmetit të së martës me magnitudë 4,9 të shkallës Rihter janë regjistruar 15 paslëkundje të tjera. Ormeni sqaron se kjo situatë nuk ka lidhje me tërmetin në Turqi, por me ngjarjen sizmike të 26 nëntorit, ndërsa paslëkundjet do të vijojnë për muaj të tërë.

“Ky tërmet nuk ka lidhje me atë të Turqisë. Në Turqi kemi pllakën e Anadolias, e cila shtyhet me pllakën Aziatike dhe aty janë regjistruar dy thyerje të mëdha që sjellin zhvendosje horizontale dhe në këtë zonë janë raportuar dhe tërmete më të mëdha që kanë arritur në 7.9 Rihter”, tha ai.

Gati dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit janë shënuar mbi 2500 tërmete ku një pjesë e tyre ishin me magnitudë mbi 4 të shkallës Rihter. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos