
Mundësia e rikthimit të masave të kufizimit, mes rritjes së rasteve me koronavirus, ka nxjerrë sërish në rrugë mijëra serbë. Për të dytën ditë radhazi, manifestimet degjeneruan në dhunë.
Përleshjet mes policisë dhe manifestuesve u shënuan në Beograd dhe Novi Sad, me efektivët që hodhën gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Në Novi Sad, protestuesit dëmtuan ndërtesën e bashkisë në qendër të qytetit, e imazhe të shfaqura në televizionet lokale treguan flakë në hyrje të saj.
Më parë, qytetarët e zemëruar u përpoqën të hynë në ndërtesën e Radio Televizionit të Vojvodinës. Në Nish, qyteti i tretë më i madh në vend, protestuesit hodhën gurë ndaj godinës së Partisë Përparimtare në pushtet.
Në atë që konsiderohet si një hap prapa në planin për rikthimin e masave të kufizimit, përfshirë izolimin e Beogradit gjatë fundjavës, Vuçiç tha të mëkurën se pa gjendjen e emergjencës nuk do të qe në gjendje të ndërmerrte një hap të tillë. Ai tha se ekipi teknik i krizës, kryeministrja dhe ministri i Shëndetësisë, do të vendosnin gjatë orëve në vazhdim lidhur me masat më strikte, por pa rikthyer izolimin.
Protestat e organizuara nga opozita nisën të martën, me mijëra vetë që u mblodhën para Kuvendit të Serbisë duke kërkuar dorëheqjen e Vuçiçit. Disa persona mbetën të plagosur në përleshje, e të tjerë u ndaluan nga policia. Kritikët akuzojnë qeverinë për përkeqësimin e situatës pandemike dhe thonë se ai e kishte hequr gjendjen e emergjencës për të mbajtur zgjedhjet.
Por, presidenti i mohon pretendimet dhe thotë se situtata me virusin në kryeqytet është alarmante dhe se spitalet po i tejkalojnë kapacitetet.
Të paktën 357 raste të reja me Covid-19 u konfirmuan gjatë 24 orëve të fundit në Serbi. Viktimat ishin 11, për një total prej 341 humbje jetësh. (A2 Televizion)