Vijon alarmi për mutacionin e ri, OBSH: Nuk është jashtë kontrollit, pjesë e evoluimit të pandemisë

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 16:55 | Bota
Vijon alarmi për mutacionin e ri, OBSH: Nuk është jashtë

Varianti i ri i koronavirusit vijon të alarmojë botën, e gjithmonë e më shumë vende, po vendosin të mbyllin dyert për Britaninë e Madhe.

Mbi 40 shtete kanë bllokuar fluturimet dhe lidhjet me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Bashkimi Europian po zhvillon bisedime për nje reagim të koordinuar. Një vendim nuk pritet para pasdites, por një prej opsioneve që po vihet në tryezë, është që t'u kërkohet testi negativ të gjithë të ardhurve nga Britania e Madhe.

Suedia, mbylli dyert edhe për pasagjerët nga Danimarka, pasi raste të mutacionit të ri u zbuluan edhe atje. Një sërë shtetasish kanë mbetur të bllokuar në aeroporte, ndërsa qindra kamionë janë parkuar anës rrugës kryesore, për në portin më të rëndësishëm për tregtinë me Europën, ai i Doverit, pasi qeveria franceze mbylli kufijtë për britanikët.

Boris Johnson tha se po punonte me presidentin Macron për të zhbllokuar tregtinë.

“Miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtare, dua t'u them se i kuptojmë shqetësimet tuaja dhe shpresoj se të gjithë po e shihni, se menjëherë sapo qeveria u informua mbi transmetueshmërinë e lartë të varianit të ri, morëm të gjitha masat për të frenuar përhapjen”, u shpreh ai.

Ndërsa lista e vendeve që kufizojnë udhëtimet nga Britania rritet, Organizata Botërore e Shëndetësisë u përpoq të zbuste shqetësimet. Sipas shefit të emergjencave në OBSH, Mike Ryan, mutacioni ishte pjesë e evoluimit të pandemisë dhe nuk ishtë jashtë kontrollit, siç kishte thënë më herët ministri i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos