
Partizani ka fituar dhe ndeshjen e dytë përballë Valmierës në Conference League me rezultatin minimal 1-0, duke hedhur një hap tjetër drejt fazës së grupeve, një ëndërr kjo për të kuqtë e kryeqytetit.
“Demave” i mjaftoi një penallti e shndërruar në gol nga Cara në minutën e 21 ndaj letonezëve për të ecur përpara në aventurën europiane.
Miqtë u përpoqën më shumë në këtë takim për të bërë diçka që do t’i mbante në lojë, por u treguan të paqartë përpara portës.
Tashmë, është përcaktuar dhe finalja e play-off që të çon në grupe, të cilën Partizani do ta luajë përballë Astanasë, e cila u eliminua në Europa League nga Ludogorets.
Aventura e Partizanit në Conference League i ka dhënë shumë arsye të kuqve përse të kërkojnë suksesin me çdo kusht.
Sipas shpërblimeve të UEFA-s, skuadrat përfitojnë nga 100 mijë euro për secilin tur kualifikues. Për eliminimin në turin e parë akordohen edhe 150 mijë euro ekstra, largimi nga turi i dytë shpërblehet me 350 mijë euro, ndërsa eliminimi në turin e tretë me 550 mijë euro.
Gjithashtu, çdo ekip kampion në ligat europiane si të kuqtë, shpërblehen edhe me 260 mijë euro nëse nuk kualifikohen në grupet e kupave të Europës.
Për aktivizimin në turin e tretë të Conference League, Partizani ka siguruar 1 milion e 110 mijë euro. Kalimi në “play-off” i garanton të kuqve plot 1 milion e 310 mijë euro. Shifra është e lart, por do të rritje disa-fish me sigurimin e grupeve të Conference League.
Kjo është arsyeja përse në sfidën ku rivalë do të ketë kazakët e Astanës, kampionët e Shqipërisë do të provojnë triumfin. (A2 Televizion)