
Për Lulzim Bashën, debatet që kanë përfshirë kampin e djathtë pas dorëheqjes së Enkeljed Alibeajt nga posti i kryetarit të komanduar, janë shenjë e qartë që në PD ka nisur një “reflektim i thellë.”
Në një reagim në Twitter, ish-kryetari flet për frymë debati konstruktiv në Kryesinë e PD-së teksa shton se nuk ka gjë më demokratike se mendimet ndryshe në një forum politik.
Fryma e debatit konstruktiv me të cilën Kryesia e PD-së debatoi për më shumë se 8 orë për gjetjen e rrugës më të mirë në funksion të riorganizimit të PD-së, është shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike.
Nuk ka gjë më demokratike se mendimet e ndryshme në një forum politik. Debatet dhe mendimi ndryshe duhen respektuar nga të gjjthë. Vlerat demokratike që na drejtojnë në këtë rrugëtim të vështirë për ne demokratët nuk mund të cenohen nga asnjë individ.
Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas.
Lulzim Basha në Twitter
Kujtojmë se në mbledhjen e Kryesisë që zgjati deri në orët e para të së mërkurës me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, Kryesia vendosi që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik, në kushtet kur edhe Jorida Tabaku refuzoi drejtimin e partisë.
Ky vendim solli tensione në mbledhje, pasi deputetët, që njëherazi janë edhe anëtarë të Kryesisë, nuk kanë pranuar që zgjedhjet të mbahen tani afër.
Disa deputetë e braktisën mbledhjen pasi kërkuan që fillimisht të mbahen zgjedhjet në bazë, e më pas të caktohet kryetari i ri.
Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Geshtenja, Bledion Nallbati, Dhurata Çupi u larguan nga mbledhja.
Ndërkohë, kujtojmë se mundësi që Lulzim Basha ta kandidojë sërish për të drejtuar PD-në ka mbetur e hapur edhe pse ai deri më tani nuk ka bërë asgjë zyrtare. (A2 Televizion)