
Qeveria e Francës, që para 10 ditësh bënte me dije se Novak Djokovic mund të merrte pjesë në turneun “Roland Garros” edhe pse i pavaksinuar, ka ndryshuar mendje dhe paralajmëron që të gjithë tenistët e pranishëm në këtë “Grand Slam” duhet të jenë vaksinuar me të gjitha dozat, njësoj si publiku dhe të gjithë personat e përfshirë në organizim.
Lajmin e dha ministrja e Sportit e Francës, Roxana Maracineanu, disa orë pasi Parlamenti i këtij vendi miratoi ligjin që bën të detyrueshëm certifikatën e vaksinimit për shumë aktivitete të jetës sociale, përfshirë eventet sportive.
Më 7 janar, kur Djokovic ishte në “luftë” politike dhe gjyqësore me Australinë për pjesëmarrjen në “Australian Open”, ministrja Roxana Maracineanu pati thënë se serbi do të lejohej të merrte pjesë në “Grand Slam”-in francez, që do të zhvillohet nga fundi i majit deri në fillim të qershorit. Atëherë, ajo tha se Franca do të pranonte përjashtimet për sportistë të pavaksinuar në kompeticionet ndërkombëtare.
Por, ligji i miratuar së fundmi në Francë ka ndryshuar krejtësisht situatën dhe Novak Djokovic rrezikon që këtë vit, të mos marrë pjesë në asnjërin prej 4 turneve “Grand Slam” (Australian Open, Wimbledon, Roland Garros dhe US Open), duke mbetur në kuotën e 20 titujve në karrierë, aq sa kanë Roger Federer dhe Rafael Nadal. (A2 Televizion)