Viti akademik nis me bojkot, pedagogët nuk tërhiqen, grevë nëse nuk rriten pagat

Nga A2 CNN
17 Tetor 2022, 15:13 | Aktualitet
Viti akademik nis me bojkot, pedagogët nuk tërhiqen, grevë

Viti i ri akademik nis me bojkot të mësimit. Pedagogët e Universiteteve të Tiranës i janë përgjigjur thirrjes së sindikatës  për të pezulluar procesin mësimor. Ashtu siç ishte paralajmëruar, në auditorë kanë hyrë vetëm studentët e viteve të para për t`u njohur me orarin dhe pedagogët.

Pas orës 10:00 në çdo fakultet stafet akademike kanë protestuar para ambienteve të punës.  Mbështesin kërkesat e sindikatës për rritjen 50% të pagave të tyre.  Nga korpusi universitar kreu i sindikatës Sandër Kovaçi deklaron vijimin e bojkotit pa afat nëse nuk do të ketë vendime konkrete nga qeveria.

Në kohën kur pedagogët zhvillonin protestën,  drejtuesit e universitetit Politeknik u njoftuan për një vizitë të beftë nga kryeministri Edi Rama. Sipas informacioneve, do të inspektonte një nga laboratorët e universitetit. Sipas protokollit punonjësit e gardës ishin vendosur më herët në oborrin e korpusit. Edhe rektori me të tijtë zbritën për ta pritur, por pas disa minutash u njoftuan për anulimin e vizitës.

Por në Fakultetin e Mjekësisë bojkoti është thyer nga vizita e ministres së Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu është kujdesuar që gjatë fjalës së saj të tregojë se viti akademik ka nisur në të gjitha universitete. Me pas si ministre e Shëndetësisë ka folur edhe për investimet në sektorin e saj.

Vetëm pak orë pas mesditës përmes zyrës së shtypit u njoftua se ministrja e Arsimit kishte kryer një vizitë tek Universiteti Politeknik, sërish duke shpërfillur protestën e pedagogëve, por duke folur për riinvestime dhe mbështetje për shkollat e larta.

Ndërkohë sindikata e pedagogëve ka vendosur që edhe në 18 tetor nuk do të ketë mësim.  Bojkoti do të nisë në orën 8 të mëngjesit në çdo fakultete dhe në orën 10 të gjitha stafet akademike të Tiranës do të protestojnë para korpusit universitar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos