
Sali Berisha ka komentuar në rrjetet sociale vizitën e kryeministrit Edi Rama në Kiev, ku do të takohet me presidentin vendas, Volodymyr Zelensky.
Berisha hedh hipoteza për përjashtimin nga kjo vizitë e ministrave Peleshi dhe Xhaçka, duke thënë se kjo vjen për shkak të politikës dyfytyrëshe të Edi Ramës, përsa i përket luftës në Ukrainë.
“Nga udhëtimi u përjashtuan ministri i Mbrojtjes Peleshi dhe e jashtmja Xhaçka. Udhëtimi i këtyre të fundit u refuzua nga vetë Rama. Kjo, sepse ai e dinte se në bisedime Presidenti Zelenski do t’i ngrinte Ramës çështjen e qëndrimit të tij të dyfishtë ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.
Dihet se Shqipëria nga njëra anë ka denoncuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ka zbatuar sanksionet ndaj Rusisë, por nga ana tjetër, Edi Rama pranon turistët rus vrasës, përdhunues dhe pengmarrës në luftën në Ukrainë, të cilët vijnë nga Beogradi në Shqipëri për pushime dhe energji të reja për t’u kthyer më pas në front dhe vazhduar gjenocidin e krimet kundër njerëzimit, kundër qytetarëve të Ukrainës.
Përveç kësaj, Rama, në shkelje të sanksioneve, ka lejuar ankorime misterioze të anijeve ruse në portet tona. Këto bisedime nuk mund t’i degjonin Peleshi dhe Xhaçka, sepse pa u kthyer në Shqipëri, gojët e tyre që nuk mbyllen kurrë, do të zbardhnin çdo gjë.
Duke përfunduar, dënoj me ashpërsinë më të madhe politikën dyfytyrëshe të Edi Ramës ndaj Ukrainës dhe kërkoj që kjo politikë të marrë fund menjëherë”, tha Berisha. (A2 Televizion)