Vizita e Ramës në Londër në sytë e shqiptarëve aty: E vonuar, por mund të sjellë lehtësimin e vizave

Nga A2 CNN
23 Mars 2023, 22:48 | Politikë
Vizita e Ramës në Londër në sytë e shqiptarëve

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Londër dhe takimi me homologun britanik Rishi Sunak ishte kryefjala e politikës në Tiranë, ndoshta më pak në kryeqytetin britanik.

Sipas gazetarit në Londër, Ervin Gjonaj, ”në mediat britanike nuk është përshkruar gjatë vizita e Ramës, përtej disa lajmeve sporadike. Intervista në Chanel 4 të BBC ishte e vetmja, pra nuk kishte impakt të madh mediatik. Të gjithë ata afër Sunak kanë përshëndetur vizitën sepse plotëson pikën e pestë të programit të tij, zgjidhja e emigrimit, dhe takimi me Ramën e nxjerr Sunak si triumfues. Ndërkohë që vizita e Ramës është disi e vonuar”.

Sipas tij, i ftuar në “Debat”, ka një bisedë për një formë të re për emigrimin e shqiptarëve në Britani, ndoshta mund të pritet në të ardhmen një formalizim për një lehtësim të marrjes së vizave, pasi të gjithë ekspertët e emigracionit e shohin si zgjidhjen më të duhur.

Sipas Daniel Nikollës, pjesë e diasporës për Shqipërinë e Lirë, “takimi mund të sjellë pikërisht një mënyrë të re të ardhjes së shqiptarëve profesioniste në Britani. Është publikuar një raport më 15 mars me  një  seri profesionesh  që bëjnë pjesë të atyre ku Britania duhet të rekrutojë, dhe aty janë shtuar shumë profesionet e lidhura me ndërtimin, që ka qenë një nga profesionet që kanë ndihmuar shqiptarët të ardhur pa dokumente. Sot Sunak ishte shumë i relaksuar, se pas një marrëveshje të mirë me Irlandën sot solli në Londër liderin e vendit që përfaqëson 30% e emigranteve të paligjshëm”.

Për ekonomistin Pano Soko, “Rama natyrisht ka përgjegjësi edhe për t’i dhënë drejtim shqetësimit  të partnerëve të Britanisë së Madhe, por më së shumti duhet të adresojë shqetësimin e shqiptarëve. Pse njerëzit po rrezikojnë jetën e tyre për të kaluar kanalin? Ai e ka bërë vendin të pajetueshëm, pse është bërë Shqipëria e tille?

Nuk është prioritet i shqiptarëve sesi ikin jashtë, në mënyrë klandestine apo me rregulla, problemi i madh është që po ikin, po rrjedh gjak, se po ikin profesionistët, zemra e shoqërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos