
Takimit në Britaninë e Madhe me homologun Rishi Sunak, kryeministri shqiptar Edi Rama i ka paraprirë me një intervistë në The Guardian.
“Unë do të flas gjuhën e së vërtetës”, thotë kreu i qeverisë lidhur me takimin me Sunak, duke e cilësuar turp veçimin e komunitetit prej 150 mijë shqiptarësh në Britaninë e madhe dhe cilësimin si kriminelë të gjithëve.
The Guardian shkruan se gjatë kësaj vizite, shpresohet që stili unik i Ramës do të largojë tensionin e një takimi që ka të ngjarë të dominohet jo nga diskutimet diplomatike, por nga politika reale, në një kohë kur lidhjet anglo-shqiptare janë lënë në hije nga kalimet me anije, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimi i organizuar.
‘’Çmontimi i stereotipave do të jetë kyç. Më shumë se kurrë ishte e rëndësishme që shqiptarët normalë të ndaheshin në mendjet e politikëbërësve dhe zyrtarëve nga mollët e kalbura, të përfshira në rrjetet kriminale’’
Kreu i qeverisë thekson angazhimin për të bashkëpunuar me britanikë kundër bandave kriminale që nuk janë ekskluzivisht shqiptare, por ndërkombëtare.
“Ne duam ta forcojmë këtë bashkëpunim, por ajo që është kaq shqetësuese është lidhja që shpesh bëhet mes të qenit shqiptar dhe kriminalitetit. Shqiptarët padyshim nuk e kontrollojnë La Manshin. Kjo është absurde. Kryeministri hoqi një paralele mes kësaj që po ndodh në Britani me atë që dikur ndodhte në Greqi me shqiptarët dikur të stereotipizuar. Tre dekada më vonë, rreth një milion e kanë bërë vendin si shtëpinë e tyre, ndërkohë që zyrtarët grekë e përshkruajnë komunitetin shqiptar si një pjesë integrale të shoqërisë greke, thekson kreu i qeverisë Rama.
“Shqiptarët kanë lulëzuar jashtë vendit. Në të kaluarën, njerëzit në vendin tuaj, në Britaninë e Madhe, migruan në Australi dhe Amerikë. Njerëzit kanë të drejtë të ëndërrojnë për diçka që është më e madhe dhe më e mirë. Ju nuk mund ta ndaloni ose parandaloni atë. Unë u habita shumë kur një deputet pyeti se pse njerëzit po kalonin La Manshin me varka dhe nuk vinin me avion. Ishte e vështirë të besohej kur e vërteta është se edhe ministrat e qeverisë në Shqipëri hasin vështirësi në marrjen e vizave për në Britaninë e Madhe”, vijoi Rama.
Në këtë mënyrë, Rama theksoi diferencën mes Britanisë së Madhe dhe hapësirës Shengen në BE, ku prej 2015-s shqiptarët udhëtojnë pa viza. (A2 Televizion)